| Chapter 17 |
1 | Pastaj tërë asambleja e bijve të Izraelit u nis nga shkretëtira e Sinit, duke marshuar me etapa sipas urdhrave të Zotit, dhe u vendos në Redifim. Por nuk kishte ujë të pijshëm për popullin.
|
2 | Atëherë populli u grind me Moisiun dhe i tha: "Na jep ujë për të pirë". Moisiu u përgjigj: "Pse grindeni me mua? Pse tundoni Zotin?".
|
3 | Atje populli pati etje për ujë dhe murmuriti kundër Moisiut, duke thënë: "Pse na bëre të ikim nga Egjipti që të vdesim nga etja ne, bijtë tanë dhe bagëtia jonë?".
|
4 | Kështu Moisiu i thirri Zotit, duke i thënë: "Çfarë të bëj për këtë popull? Edhe pak dhe ata do të më vrasin me gurë".
|
5 | Zoti i tha Moisiut: "Kalo para popullit dhe merr me vete disa pleq nga Izraeli; merr në dorë edhe bastunin me të cilin rrahe lumin, dhe nisu.
|
6 | Ja, unë do të rri përpara teje, atje mbi shkëmbin në Horeb; ti do të rrahësh shkëmbin, prej të cilit do të burojë ujë dhe populli do të pijë". Kështu bëri Moisiu para syve të pleqve të Izraelit.
|
7 | Prandaj e quajti këtë vend Masa dhe Meriba për shkak të grindjeve që pati me bijtë e Izraelit, dhe sepse kishin tunduar Zotin, duke thënë: "A është vallë Zoti në mes nesh, apo jo?".
|
8 | Atëherë erdhi Amaleku për të luftuar kundër Izraelit në Refidim.
|
9 | Dhe Moisiu i tha Jozueut: "Zgjidh për ne disa burra dhe dil për të luftuar kundër Amalekut; nesër do të jem në majë të kodrës me shkopin e Perëndisë në dorë".
|
10 | Jozueu bëri ashtu siç i kishte thënë Moisiu dhe luftoi kundër Amalekut, ndërsa Moisiu, Aaroni dhe Huri u ngjitën në majë të kodrës.
|
11 | Dhe ndodhi që, kur Moisiu ngrinte dorën e tij, Izraeli fitonte; përkundrazi, kur e ulte dorën, fitonte Amaleku.
|
12 | Por duart e Moisiut ishin rënduar, kështu që ata morën një gur dhe ia vunë poshtë, ai u ul mbi të ndërsa Aaroni dhe Huri ia mbanin duart, njëri nga një krah, tjetri nga krahu tjetër; kështu duart e tij mbetën të palëvizura deri në perëndimin e diellit.
|
13 | Prandaj Jozueu mundi Amalekun dhe njerëzit e tij, duke i prerë me shpata.
|
14 | Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shkruaje këtë ngjarje në një libër, që të mos harrohet kurrë, dhe njofto Jozueun që unë do ta fshij fare kujtimin e Amalekut nën qiellin".
|
15 | Moisiu ndërtoi pastaj një altar, të cilit i vuri emrin: "Zoti është flamuri im"; dhe tha:
|
16 | "Dora u ngrit kundër fronit të Zotit, dhe Zoti do t`i bëjë luftë Amalekut brez pas brezi".
|