| Chapter 2 |
1 | Pasi Jezusi lindi në Bethlehem të Judesë në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jeruzalem,
|
2 | duke thënë: ``Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar``.
|
3 | Mbreti Herod, kur dëgjoi këto fjalë, u shqetësua, dhe bashkë me të mbarë Jeruzalemi.
|
4 | Dhe, mbasi i mblodhi të gjithë krerët e priftërinjve dhe skribët e popullit, i pyeti ku duhet të lindte Krishti.
|
5 | Dhe ata i thanë: ``Në Bethlehem të Judesë, sepse kështu është shkruar nëpërmjet profetit:
|
6 | "Dhe ti, Bethlehem, tokë në Jude, nuk je aspak më e parendësishmja ndër princat e Judesë, sepse nga ti do të dalë një udhëheqës, që do të kullotë popullin tim, Izraelin"``.
|
7 | Atëherë Herodi i thirri fshehurazi dijetarët, dhe i pyeti me hollësi se kur e kishin parë yllin për herë të parë.
|
8 | Dhe i dërgoi në Bethlehem dhe tha: ``Shkoni dhe pyesni me kujdes për fëmijën; dhe, kur ta gjeni, më njoftoni që të vij edhe unë ta adhuroj``.
|
9 | Dhe ata, pasi e dëgjuan mbretin, u nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija.
|
10 | Ata, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh.
|
11 | Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.
|
12 | Pasi Perëndia i udhëzoi në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, ata u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.
|
13 | Tani pasi u nisën Dijetarët, ja një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe i tha: ``Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt, dhe rri aty deri sa të të lajmëroj, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë``.
|
14 | Jozefi, pra, u zgjua, mori fëmijën dhe nënën e tij natën dhe iku në Egjipt.
|
15 | Dhe qëndroi aty deri sa vdiq Herodi, që të përmbushet ç`ishte thënë nga Zoti me anë të profetit: ``E thirra birin tim nga Egjipti``.
|
16 | Atëherë Herodi, duke parë se dijetarët e kishin mashtruar, u zemërua fort dhe urdhëroi të vriten të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Bethlehem dhe në tërë rrethinën e tij, nga dy vjeç e poshtë,
|
17 | Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremi që thotë:
|
18 | ``Në Ramë u dëgjua një klithmë, një vaje një qarje dhe gjëmë e madhe; Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet, sepse ata nuk janë më``.
|
19 | Pasi vdiq Herodi, ja një engjëll i Zotit i shfaqet në ëndërr Jozefit në Egjipt,
|
20 | dhe i thotë: ``Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në vendin e Izraelit, sepse ata që donin ta vrisnin fëmijën kanë vdekur``.
|
21 | Dhe ai u çua, mori fëmijën dhe nënën e tij dhe shkoi në vendin e Izraelit;
|
22 | por, kur dëgjoi se Arkelau mbretëronte në Judë në vend të Herodit, atit të tij, pati frikë të shkojë atje. Dhe, mbasi u udhëzua nga Perëndia në ëndërr, iku në krahinën e Galilesë,
|
23 | dhe, mbasi arriti atje, zuri vend në një qytet që quhej Nazaret, që të përmbushej ajo që ishte thënë nga profetët: ``Ai do të quhet Nazareas``.
|